Si e perceptojnë studentët shkencën dhe teknologjinë? Inspire article

Përkthyer nga Eris Duro. Svein Sjøberg dhe Camilla Schreiner nga Universitetii i Oslos, në Norvegji, shpjegojnë se si po studiojnë sjelljet e të rinjve kundrejt shkencës dhe teknologjisë.

Hyrje

Në shumë vende të zhvilluara, ka një rënie të ndjeshme në numrin e studentëve në kurset shkencore e teknologjike (S&T). “Europës i nevojiten më shumë shkencëtarë” është titulli i një raporti nga Grupi i Nivelit të Lartë mbi Rritjen e Personelit për Shkencën dhe Teknologjinë (EC, 2004). Ky raport analizon kushtet e S&T në Bashkimin Europian dhe i kushton vëmendje të veçantë numrit të personave që zgjedhin studime dhe karriera në S&T. Titulli i raportit ndalohet tek fakti që rënia e rekrutimit në studimet S&T shihet si një problem i madh në shumicën e vendeve Europiane. Të njëjtat tendenca shihen në ShBA dhe në pjesën më të madhe të vendeve të tjera të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZh).

Është paradoksale që pjesa dërrmuese e vendeve ku ekonomitë mbështeten në S&T po përjetojnë, tek të rinjtë, një mungesë interesi në studimet dhe karrierat S&T. Rëndësia ekonomike e një numri të lartë inxhinjerësh e kuadrosh shkencorë është pranuar gjerësisht. Por të rinjtë nuk i zgjedhin studimet e karrierat për të mirën e ekonomisë së vendit. Ata i mbështesin zgjedhjet e tyre (kur u jepet mundësia për të zgjedhur) në interesat, vlerat e prioritetet e tyre. Është e qartë që në vendet më të pasura studimet e punësimi në S&T nuk ka tërheqjen e disa dhjetëvjeçarëve më parë.

Mungesa e interesit në S&T në shkollë e më tej është problematike jo vetën për ekonominë, por edhe për demokracinë, pasi pjesa dërrmuese e vendimeve në shoqeritë moderne kërkojnë ballafaqimin e argumenteve shkencorë kundrejt gjykimeve vlerore. Një popullsi votuese me arsimim shkencor të mangët mund të manipulohet lehtësisht prej propagandës.

Për këto arsye, është e rendësishme të kuptohen qëndrimet, prioritetet dhe interesat e brezit të ri në lidhje me S&T: ky është qëllimi i studimit ROSE (Relevanca e Arsimimit Shkencor).
 

 ROSE (Relevance of Science Education)

ROSE është një studim krahasues ndërkombëtar që heton larminë e interesave, përvojave, prioriteteve, shpresave dhe qëndrimet që fëmijët e vendeve të ndryshme sjellin ose zhvillojnë në shkollë. Qëllimi përfundimtar është që të nxitet një diskutim i informuar mbi organizimin e një arsimimi shkencor më relevant e domethënës për nxënësit në mënyra që respektojne ndryshime gjinore dhe diversitetin kulturor. Shpresojmë, gjithashtu, të mësojmë se si mund të nxisim interesin në studimet e karrierën lidhur me S&T. Pas konsultimesh me mësues shkence nga të gjithë kontinentet, ROSE ka zhvilluar një instrument qe përpiqet të analizojë sjelljet e nxënësve 15-vjeçarë.

Instrumenti ROSE ka rreth 250 artikuj – pyetje ose pohime të shprehura thjeshtë që kërkojnë përgjigje në një shkallë Likert me 4 pikë. Kjo mundëson përdorimin e metodave standarde statistikore si llogaritja e mesatareve dhe korrelacioneve. Rreth 40 000 nxënës nga 35 vende morrën pjesë në ROSE, dhe rreth 10 doktorandë nga vende të ndryshme do të mbështeten tek të dhënat e ROSE-s për dizertacionet e tyre. Schreiner dhe Sjøberg (2004) raportojnë në mënyrë të plotë mbi arsyetimin, zhvillimin dhe logjistikën e projektit. Të dhëna të mëtejshme, duke përfshirë raporte mbi mbledhjen e të dhënave nga vendet pjesëmarrëse, mund të merren prej faqes internet të ROSE. Artikuj të ndryshëm krahasues dhe raporte ndërkombëtare janë botuar e të tjerë janë planifikuar.

Perceptimet pozitive për S&T në shoqëri

Kur vëmë re mungesën e interesit në studimet dhe punësimin S&T në disa vende, hipoteza e parë dhe më afërmendsh mund të jetë që të rinjtë në këto vende kanë mendim negativ ose armiqësor kundrejt S&T. Pohime të tilla shpesh ngrihen në debate publike. S&T fajësohet për shumë të këqija të shoqërive moderne, si ndotja, shkatërrimi mjedisor, shpërdorimi i burimeve natyrore, madje edhe konfliktet dhe mjetet moderne të luftimit. A i bazojnë të rinjtë qëndrimet e tyre në supozime të këtilla?

Disa pyetje në studimin ROSE hedhin dritë mbi këtë pyetje. Rezultatet tregojnë se nuk ka armiqësi të përgjithshme kundrejt S&T tek të rinjtë, as në vendet e pasura e as në ato të varfra. Përgjithësisht, përgjigje pozitive u dhanë për pohime si:

  • Shkenca dhe teknologjia janë të rëndësishme për shoqërinë
  • Shkenca dhe teknologjia janë të nevojshme për zhvillimin e një vendi
  • Shkenca dhe teknologjia do të gjejnë kurime për sëmundje si HIV/AIDS dhe kanceri
  • Falë shkencës dhe teknologjisë do të ketë mundësi më të madhe për brezat e ardhshëm
  • Shkenca dhe teknologjia i bëjnë jetët tona më të shëndetshme, më të lehta dhe më të rehatshme
  • Teknologjitë e reja do e bëjnë punën më interesante
  • Anët pozitive të shkencës janë më të mëdha se pasojat e dëmshme që mund të ketë
  • Shkenca dhe teknologjia do të ndihmojnë në zhdukjen e urisë e varfërisë në botë
  • Shkenca dhe teknologjia janë shkaku i problemeve mjedisore

Pjesa më e madhe e nxënësve (moshat 14-16 vjeç) në shumicën e vendeve ranë dakord me pohime si ato më lart, edhe pse ka ndryshime interesante mes kombeve dhe mes vajzave dhe djemve. Në përgjithësi, djemtë janë më pozitivë (apo më pak skeptikë?) se vajzat për S&T, dhe nxënësit në vendet në zhvillim janë më pozitivë se nxënësit e vendeve më të pasura. Por duhet vënë re se mendimi i përgjithshëm për S&T është pozitiv.

Siç ilustrohet në Figurën 1, vajzat dhe djemtë në të gjithë vendet janë shume dakord me pohimin “Shkenca dhe teknologjia janë të rëndësishme për shoqërinë”. Kjo është më e dukshme tek fëmijët e vendeve në zhvillim. Ndryshimet gjinore janë mjaft të vogla.

Figura 1: “Shkenca dhe teknologjia janë të rëndësishme për shoqërinë.” Të dhënat ROSE që tregojnë vlerat mesatare për vajzat (simboli femëror, i pangjyrosur) dhe djemtë (simboli mashkullor, i ngjyrosur). Shkalla shkon nga 1 (nuk jam dakord) tek 4 (jam dakord). Kështu, 2.5 është një përgjigje asnjëanëse, e shënuar me një vizë vertikale. Për disa vende, vetëm zona të caktuara morrën pjesë: në Ghana, vetëm krahina Qendrore; në Spanjë, vetëm ishujt Baleare; në Rusi, vetëm Karelia. India përfaqësohet nga krahina Gujarat.
Figura 2: “Më pëlqejnë
shkencat më shumë se lëndët
e tjera.”

Pikëpamjet problematike ndaj S&T në shkolla

Edhe pse studentët në të gjithë vendet kanë mendime pozitive për shumë aspekte të rolit të S&T në shoqëri, pikëpamjet në shkolla shfaqin ndryshime.

Siç tregohet në Figurën 2, ka ndryshime të mëdha mes nxënësve në pjesë të ndryshme të botës për sa i përket pëlqimit të lëndëve shkencore. Në përgjithësi, nxënësve të vendeve në zhvillim u pëlqejnë shumë lëndët shkencore, ndërsa nxënësit e vendeve më të pasura janë më negativë. Gjithashtu, vumë re ndryshime të mëdha gjinore: në disa vende, vajzat i urrejnë lëndët shkencore më shumë se djemtë. ROSE përfshin edhe një listë pyetjesh mbi përfitimin e nxënësve nga lëndët shkencore, por nuk mund t’i paraqesim këto në mënyrë të hollësishmë për arsye të kufizimeve të hapësirës në revistë.

Mosdashja për të ndjekur një karrierë në S&T

Shumë pika të ROSE i pyetën të rinjtë rreth planeve dhe vizioneve për të ardhmen. Këtu, ne japim vetëm përgjigjet për dy pyetje të thjeshta: nëse nxënësi dëshiron të bëhet shkencëtar (Figura 3) dhe nëse nxënësi do të punojë në teknologji (Figura 4).

Figura 4: “Dua një punë në
teknologji” Legjenda dhe
përfaqësimi I vendeve si në
Figurën 1
Figura 3: “Dua të bëhem
shkencëtar.” Legjenda dhe
përfaqësimi I vendeve si në
Figurën 1

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Si tregohet në Figurën 3, ka ndryshime dramatike mes përgjigjeve të nxënësve nga vende të pasura dhe ata nga vende në zhvillim. Në vendet në zhvillim, nxënësit kanë një dëshirë të madhe të bëhen shkencëtarë, kurse nxënës në shumicën e vendeve të OBEZh-it nuk duan, me një mesatare përgjigjesh prej më pak se 2 në shkallën 4 pikëshe. Vëmë re, gjithashtu, një ndryshim të thellë gjinor, veçanërisht në vendet më të pasura të OBEZh-it. Në shumë prej këtyre vendeve përgjigja mesatare për vajzat është rreth 1.5, çka tregon se pjesa më e madhe tyre kanë një mospëlqim të theksuar ndaj një karriere si shkencëtare.

Figurën 4 vëmë re një ndryshim të ngjashëm, por edhe më të theksuar: punësimi në teknologji duket të jetë shumë më tërheqës në vendet në zhvillim se sa në vendet e pasura. Në shumë vende të pasura përgjigja mesatare për djemtë ështe rreth kufirit asnjëanës (2.5), por pëgjigjet për vajzat janë thellësisht negative. Për më tepër, vëmë re se në Japoni vajzat dhe djemtë janë shumë më pak të prirur për një punësim në teknologji se nxënësit të çdo vendi tjetër.

Përfundim

Ky artikull i shkurtër jep një tregues së të dhënave dhe informacionit të përftuar nga studimi ROSE. Kemi paraqitur statistika përmbledhëse vetëm për 4 nga 250 pika; hollësi të mëtejshme dhe analiza më të përparuara do të gjenden në faqen tonë të internetitw1. Dizertacioni i parë i mbështetur mbi të dhënat e ROSE-s është paraqitur së fundmi (Schreiner, 2006). Ky i fundit detajon analizën e interesave të fëmijëve të vegjël për tema të shkencës dhe teknologjisë. Mbështetur në këtë analizë, një tipologji nxënësi është sugjeruar.

Me anë të ROSE ne shpresojmë të nxisim një diskutim të informuar rreth aspekteve të rëndësishme të S&T dhe rolin e tyre në shoqëri e arsimim. Hulumtues nga kultura të ndryshme janë të përfshirë në kërkimin dhe diskutimin e çështjeve që u përkasin të gjithëve. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe formimi i rrjeteve janë gjithashtu të rëndësishëm. Ne shpresojmë që arsimimi në S&T do të jetë një instrument jo vetëm për nxitjen e zhvillimit material dhe të mirëqeniës, por edhe për të adresuar vlera themelore njerëzore.

Download

Download this article as a PDF

References

  • EC (2004) Europe Needs More Scientists. Report by the High Level Group on Increasing Human Resources for Science and Technology in Europe. Brussels, Belgium: European Commission
  • Schreiner C (2006) Exploring a ROSE-garden. Norwegian Youth’s Orientations Towards Science – Seen as Signs of Late Modern Identities. Doctoral thesis, University of Oslo, Norway
  • Schreiner C, Sjøberg S (2004) Sowing the seeds of ROSE. Background, rationale, questionnaire development and data collection for ROSE (Relevance of Science Education) – a comparative study of students’ views of science and science education. Acta Didactica 4. Oslo, Norway: University of Oslo Department of Teacher Education and School Development


License

CC-BY-NC-ND